Kritika të mëdha për formën e ndarjes së subvencioneve në bujqësi

Mbi 196 milionë euro është vlera e granteve dhe subvencioneve të ndara për bujqit nga Ministria e Bujqësisë, që nga viti 2020. Përkundër rritjes së financimit publik, rritja e prodhimtarisë bujqësore nuk po vlerësohet e kënaqshme.
Përfaqësues bujqish e ekspertë kanë kritika për metodologjinë e ndarjes së subvencioneve e granteve, si dhe mungesën e kontrolleve nga Ministria e Bujqësisë.

Rreth 73 milionë e gjysmë është vlera e mjeteve financiare të ndara për bujqit kosovarë nga buxheti i shtetit për vitin 2022. Nga këto mjete, 49 milionë janë ndarë për pagesa direkte, e pak mbi 24 milionë për grante. Sipas të dhënëve të Ministrisë së Bujqësisë, që nga viti 2020, si subvencione dhe grante për bujq janë ndarë pak mbi 196 milionë euro.

Megjithëkëtë dhe përkundër rritjes së financimit publik nga viti në vit, rritja e prodhimtarisë bujqësore po vlerësohet e pakënaqshme.

Një gjë e tillë theksohet edhe në dy raporte të Institutit GAP, të vitit 2021, mbi ndikimin e subvencione dhe grante në bujqësi.

Sipas kryetarit të Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, subvencionet nuk po ndikojnë sa duhet në rendimente si pasojë e metodologjisë së gabuar të shpërndarjes së tyre.

“Politikat për shpërndarjen e subvencioneve janë të gabuara. Për këtë edhe kemi dhënë vërejtje, sepse, me këtë mënyrë të dhënies së subvencioneve edhe në të ardhmen nuk do t’i kemi rezultatet e duhura, pasi janë momentet e caktuara kur subvencionet japin efektin e tyre. Ne besojmë se subvencionet duhet dhënë gjatë vegjetacionit të një kulture bujqësore, e jo në fund. Për shembull, kultivuesit e grurit kanë nevojë në start t’i kenë mjetet që ndan ministria, në mënyrë që të blejnë farën dhe plehrat”, tha ai.

Tahiri, tutje thotë për Radio Kosovën se si federatë kanë vërejtje edhe për mënyrën e ndarjes së granteve dhe monitorimet e pakta në teren.

Njëjtë si Tahiri, edhe profesori universitar i Bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se ndarja e subvencioneve dhe granteve duhet të vazhdojë, në mënyrë që bujqit ta kenë më të lehtë ushtrimin e veprimtarive bujqësore. Për rezultate më të mira në rritjen e rendimenteve në bujqësi, Rusinovci thotë se përveç ndarjes së mjeteve, është i nevojshëm edhe monitorimi.

“Shtimi i masave stimulative për bujqit është adekuate, por që, në anën tjetër importi vazhdon të jetë në rritje. Këtu ka një dilemë të madhe, sepse monitorimi i mjeteve të ndara nuk është i duhur dhe nuk përjashtohet mundësia e keqpërdorimit të tyre, çka duhet të sanksionohet njëherë e përgjithmonë, jo me mjete mediatike e prononcime megalomane, por me veprime konkrete, sepse ai që punon duhet të mbështetet”, thotë Rusinovci.

Në lidhje me ndikimin e granteve dhe subvencioneve në rritjen e prodhimtarisë, Radio Kosova i është drejtuar Ministrisë së Bujqësisë. “Vlerësimi i rezultateve të ndikimit të përkrahjes buxhetore përmes programeve të rregullta mbështetëse bëhet përmes ‘Vlerësimit ex-post’ dhe analizës sektoriale e cila përfshin secilën kulturë bujqësore”, kanë thënë në një përgjigjeje me shkrim zyrtarë nga kjo ministri, duke mos treguar se te cila kulturë ose veprimtari bujqësore vërehet ndikimi më i madh i përkrahjes financiare në rritjen e prodhimtarisë