Kryetari i Vitisë kritikon qeverinë për mos bashkëpunim: Ndarja buxhetore ka qenë selektive dhe jo gjithëpërfshirëse

Kryetari i Komunës së Vitisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sokol Haliti, ka kritikuar nivelin qendrorë për mos bashkëpunim të duhur me këtë komunë.

Sipas tij, nga niveli qendror kanë munguar vizitat, komunikimi e investimet kapitale.

Ai ka thënë se shumë projekte, përfshirë këtu shkolla, palestra sportive e stadiumi, kanë mbetur të pa përfunduar si shkak i mos përkrahjes nga nivelit qendror.

Haliti ka kritikuar Qeverinë edhe sa i përket ndarjes buxhetore, ku sipas tij, kjo ndarje që për komunën e Vitisë u caktua 4 euro për kokë banori ka qenë selektive dhe jo gjithëpërfshirëse.

“Bashkëpunimi me nivelin qendror mbetet për tu dëshiruar për shkak se ka mundur të bashkëpunoi shumë më shumë. Ndarja buxhetore ka mujt me qenë më gjithëpërfshirëse për numër të banorëve edhe për komunën që përfaqësoj unë 4 euro për kokë banori vërtetë ka qenë selektive”.

“Edhe ministritë e linjave protokollin shtetëror kanë mundur ta respektojnë shumë më shumë kur të dalin në komuna, gjë që spo ndodh, sepse na kanë munguar vizitat së pari në nivel qendror, ka munguar komunikimi, investimi dhe shpërndarja e buxhetit”, ka thënë ai.

Ai përmendi disa probleme me të cilat është duke u ballafaquar kjo komunë, duke theksuar këtu ndërtimin e shkollës fillore “Halil Alidema” në fshatin Pozheran e cila ka filluar së ndërtuari tash e sa vite dhe ende nuk ka përfunduar.

Ai me këtë rast ka bërë kërkesë që Qeveria ti bartë mjetet komunës dhe komuna ti vazhdoj vetë punimet.