Kryetari i Zubin Potokut: Dalja në votim është shumë e vogël, vullneti i qytetarëve është që mos të na shkarkojnë

Kryetari aktual i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është “shumë i vogël” numri i qytetarëve që kanë dalë për të votuar për ose kundër shkarkimit të tij nga posti i kryetarit.

Ai në një prononcim për Gazetën Express tha se deri tash, sipas informacioneve që ka, kanë dalë 2 ose 3 persona.

“Numër shumë i vogël, simbolik. Në bazë të informacioneve që kam, 2-3 persona kanë dalë, mirëpo nuk ka përgjigje masovike të qytetarëve. Vendvotimet janë të hapura. Përgjigja e qytetarëve është shumë e vogël”, tha ai.

Zeqiri tha se kjo “përgjigje e vogël” e qytetarëve është për shkak se vullneti i tyre është që të mos e shkarkojnë atë dhe jo sepse Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkot.