Në katër komunat veriore ka nisur procesi i votimit “për” ose “jo” shkarkimit të katër kryetarëve.
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një intervistë me gazetaren e Telegrafit, Elfije Boletini, tha se gjithmonë ka qenë skeptik sa i përket kësaj forme të zgjedhjeve nëse do të ketë sukses.
“Jam shprehur dhe kam pasur besimin qysh edhe nga viti i kaluar që kjo formë e zgjedhjeve nuk do të ketë sukses, por sidoqoftë unë i respektoj normat ligjore që rrjedhin prej udhëzimeve administrative dhe respektoj çdo rezultat”, theksoi ai.
Sa i përket bojkotimit të Listës Serbe, Zeqiri tha se kjo parti ka frikë të ballafaqohet me realitetin.
“Qëndrimi i Listës Serbe është se nuk guxon të ballafaqohet me realitetin, sepse vitin e kaluar nuk është matur asnjëherë me votën reale. Në këtë proces ka menduar se do të ketë proces të parregullt, tash është një situatë tjetër, ku secili subjekt kanë komisionarët e vet, kur e ka pa ketë monitorim është tërheq nga frika për realitet”, ka thënë mes tjerash ai.