Kryetari i Zveçanit flet për raportimet se KFOR’i ia ndaloi Elbert Krasniqit hyrjen në Komunë

Ish-Inspektori i Përgjithshëm në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka shkruar se Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nuk është lejuar të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit nga KFOR’i për ta takuar Kryetarin Ilir Peci.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur më 29 janar.

“KFOR-i nuk lejoi ministrin Elbert Krasniqi të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit. Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, më 29 janar 2024, në orët e pasdrekës derisa Ministri i Qeverisë së Kosovës shkoi për ta takuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit”, ka shkruar Ramadani.

Por këtë e demantuar Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci. Ai i ka thënë Gazetës Express se nuk ka pasur takim me Krasniqin dhe se nuk qëndrojnë deklarimet se i njëjti nuk është lejuar të hyjë në objektin e Komunës.

“Jo, nuk është e vërtetë…Në Komunën në Lipë, ku kam ndejt prej ditës së parë. Nuk kemi pas dicka naj takim kështu. Nuk qëndron se nuk u leju me ardh se këtu mundet me ardh kush të do pa problem, por nuk kemi pas dicka naj takim”, ka dekaruar Peci.