“Kthehu n’shpi se vij ta marr shpirtin”/ Pejani kërcënon dhe tenton ta rrah djalin që shkoi të jetojë te gruaja e tij në Mitrovicë

Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje nga Peja, ku janë përfshirë kryerfamiljari dhe djali i tij.

Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur pasi 22-vjeçari kishte vendosur të dalë nga shtëpia e prindërve dhe të shkojë të jetojë te bashkëshortja e tij në Mitrovicë. Por këte e kishte kundërshtuar kategorikisht babai i tij, i cili vazhdimisht ka kërkuar nga ai që të kthehet në shtëpi duke e kërcënuar se do ia marrë shpirtin.

Djali ka provuar që të bisedojë me babain e tij, me ç’rast bashkë me bashkëshorten kanë marrë rrugën për në Pejë, ku lanë takim për të biseduar me të dyshuarin. Por e gjithë tentativa për të zgjidhur problemin me dialog, ka dështuar pasi që babai kishte tentuar që ta sulmojë fizikisht 22-vjeçarin.

Kjo kishte bërë që i riu të ikë që aty dhe të drejtohet për në stacion policor për të kërkuar ndihmë.

I dyshuari është intervistuar lidhur me atë se çfarë ka ndodhur, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’ dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë