Kurti – atyre që po punojnë për regjistrimin e popullsisë: Jini seriozë, e ardhmja jonë varet nga rezultati i këtij procesi

Kryeministri Albin Kurti dje zhvilloi një takim me regjistrues dhe mbikëqyrës, të cilët po punojnë për regjistrimin e popullsisë.

Takimi u mbajt në qytetin e Gjilanit, njoftoi Zyra e Kryeministrit këtë mëngjes.

Kurti, sipas ZKM-së, iu tha atyre se për të ardhmen e shtetit shumë do të varet nga puna e këtyre javëve të mbetura në procesin e regjistrimit, që nisi me 5 prill.

“Do të prodhohen të dhëna të shumta që do t’iu ndihmojnë, jo vetëm vendimmarrësve, por edhe shfrytëzuesve të tjerë sikurse Qeveria e shoqëria civile, pastaj bizneset, donatorët e investitorët, që të hartojnë politika, të zhvillojnë strategji, programe e produkte dhe të ofrojnë shërbime, që t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve e i respektojnë të drejtat e tyre”, tha Kurti, duke shtuar se ndarjet buxhetore që do të bëhen, do të bazohen gjithashtu në regjistrimin e popullsisë.