Kurti dhe Spajiq flasin për integrimin evropian të Kosovës dhe Malit të Zi

Në Kotor, kryeministri Albin Kurti pati një takim bilateral me homologun malazez, Milojko Spajiq.

Në njoftim thuhet se Kurti e falënderoi Spajiq për mikpritjen e mbrëmshme në darkën e liderëve dhe për organizimin e Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes së BE-së.

“Në takimin e tyre të parë dypalësh, kryeministri Kurti dhe kryeministri Spajiq biseduan rreth raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për bashkëpunimin rajonal dhe atë në rrugën e përbashkët të integrimit evropian, si dhe për mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të përvojave në fusha të ndryshme. Ata gjithashtu diskutuan edhe për projektet infrastrukturore që lidhin dy vendet, duke theksuar rëndësinë e tyre për qytetarët në të dy anët e kufirit”.

“Kryeministrit Kurti qëndroi sot në Kotor të Malit të Zi, ku nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët” u mbajt takimi i tretë i radhës ndërmjet liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar rreth Planit të Rritjes me Bashkimin Evropian dhe prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe organizatat partnere të rajonit”, thuhet në njoftim.