Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në Vjenë se rezervat e Serbia për ta nënshkruar marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, solli eskalimin e situatës në terren, raporton Gazeta Express.
Kurti tha në Forumin Ekonomik të Vjenës se “Serbia refuzoi ta nënshkruajë dhe tha se e pranon marrëveshjen vetëm në koncept, por jo edhe në përmbajtje”. Prandaj, “ky rezervimi pas arritjes së marrëveshjes është duke u përkeqësuar në terren”, tha ai, ndërsa përmendi sulmet ndaj KFOR-it dhe gazetarëve, rrëmbimin e policëve dhe sulmin e 24 shtatorit.
“Eskalimi ka ndodhur sepse përkundër marrëveshjeve verbale ose gojore në një tekst të plotë, nuk ishte nënshkruar, madje as në margjinat e samitit të Këshillit të Europës më 26 tetor”, tha ai.
Kurti në panelin e diskutimit me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira”, u pyet për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik me Serbinë. Këtu, Kurti tha se “përsëri, nënshkrimi i njohjes ‘de facto’ të dyanshme është hapi i parë dhe më i rëndësishëm”.
“Duhet më tepër presion në Beograd për ta nënshkruar marrëveshjen për të cilën jemi pajtuar dhe gjithashtu na nevojitet integrimi europian, sepse nuk mendoj se rajoni ynë mund të integrohet jashtë BE-së ose pa BE-në, duhet të jetë drejt BE-së, me BE-në dhe Procesi i Berlinit mund të jetë më i thellë dhe më i intensifikuar”, tha ai.