Kurti e falënderon Plenkoviqin për mbështetjen ndaj sovranitetit të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, në margjinat e forumit që po mbahet në Davos të Zvicrës.

“Ne diskutuam për rritjen ekonomike dhe progresin e Kosovës, si dhe fushat për bashkëpunim të mëtejshëm siç është arsimi”.

“E falënderova atë për mbështetjen e Kroacisë në lidhje me sovranitetin, mbrojtjen dhe integritetin tonë territorial”.

Pak më herët se Kurti edhe Plenkoviq shkroi për takimin me të. Ai tha se me Kurtin kanë diskutuar për situatën në rajon dhe shprehu mbështetjen e Kroacisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe për rrugën e saj drejt BE-së.

“Me kreun e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, diskutova për situatën në rajon. Ju përgëzojmë për heqjen e regjimit të vizave dhe shprehim mbështetjen tonë për anëtarësimin në Këshillin e Europës, si dhe në rrugën drejt BE-së”, shkroi Plenkoviq.

“Vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin ekonomik Kroaci-Kosovë!”, shtoi kryeministri kroat.