Kurti: Gjenocidi në Srebrenicë na kujton plagët tona të përbashkëta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë, organizuar në sallën e Institutit të Historisë. Në fjalën e tij, në emër të Qeverisë së Kosovës, ai shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për popullin boshnjak, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

“Para 29 vitesh, në qytetin e vogël të Srebrenicës, u krye një nga tmerret më të mëdha të gjenocidit në Evropë. 8372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht, në mënyrë sistematike. Ky krim la plagë të hapura për mijëra familje boshnjake, siç la plagë të hapur në ndërgjegjen e njerëzimit. Andaj, çdo përvjetor është dhembje që ripërtërihet, jo vetëm për popullin boshnjak, por edhe për ne, popullin e Kosovës, që 25 vite më parë kemi përjetuar tmerret e luftës”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, ai shtoi se masakra në Srebrenicë ishte dhe paralajmërim për projektin gjenocidal të Serbisë në Kosovë, ku nga viti 1998 deri në vitin 1999, mbi 13 mijë shqiptarë të Kosovës u vranë, mbi 1 milion u dëbuan nga shtëpitë e tyre, afër 1600 janë ende të pagjetur dhe rreth 20 mijë gra e vajza por edhe burra dhe djem, janë të mbijetuar të përdhunimit seksual.