Kurti i hapur për zgjedhje këtë vit, LDK i kryen “diskutimet finale” për listën, Abdixhiku: Këmbanat tona po bien

“Nuk e kam problem”, tha kryeministri Albin Kurti duke komentuar mbi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme këtë vit. Ndërkohë, LDK-ja e Lumir Abdixhikut i zhvilloi “diskutimet finale” për listën e kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojë. “Këmbanat tona po bien!” dhe “Lidhja është gati”, tha kryetari i partisë më të vjetër në vend.

Kryeministri Albin Kurti thotë se nuk e ka mendjen te zgjedhjet, por se nuk e ka problem që ato të mbahen para kohe.

Partitë e kanë shtuar angazhimin, diskursi edhe i qeveritarëve është bërë më elektoral këtë vit që mund të jetë viti i zgjedhjeve të reja.

“Prej javës së dytë, ndoshta jo të parë që jam kryeministër, është folur për zgjedhje të parakohshme. Prej javës së dytë, se ndoshta javën e parë ka qenë pranim-dorëzimi i detyrës e kështu me radhë. Unë këtë javë i bëj tre vjet që jam në detyrë. Ndoshta do të ketë zgjedhje të parakohshme, unë nuk e di, por…”, tha Kurti të mërkurën në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Nëse do të ketë zgjedhje para kohe apo ato të mbahen të rregullta në fillim të vitit të ardhshëm, për partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, Kurti tha se është “krejt njësoj”. Por kujtoi se për të shkuar në zgjedhje më herët, duhet të vendosin së bashku me opozitën.

“Unë nuk mund të kem zgjedhje të parakohshme në Kosovë pa opozitën. Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 nuk ka lënë mundësi të tjera. Pra, ne, për të pasur zgjedhje të parakohshme, duhet ta shpërndajmë Kuvendin… dhe le të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme për ata që e kanë mendjen aty”, tha ai. “Nuk kam unë problem për asnjërin variant. Shumë gjëra mund t’i bëj edhe pa opozitën, por jo edhe këtë”, shtoi Kurti.

Ndërkohë, në Lidhjen Demokratike të Kosovës po mobilizohen. Ata duan dhe presin zgjedhje të parakohshme, të bindur se pas tyre Kurti s’do të jetë më kryeministër.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje pati takim me kryetarët e degëve të partisë. Diskutimi kryesor, siç njoftoi vetë, ishte organizimi për zgjedhjet nacionale. Madje, ai tha se në këtë takim i patë edhe “diskutimet finale” për listën e kandidatëve për deputetë me të cilën do të garojë partia më e vjetër në vend.

“Mobilizimi ynë po merr formë. Në takimin e përbashkët me Kryetarët e Degëve, shtruam si diskutim kalendarin e takimeve në Kosovë dhe mërgatë; përgatitjet organizative për zgjedhjet nacionale, diskutimet finale për listën e deputetëve dhe hapjen e mëtutjeshme të LDK-së ndaj secilit të djathtë që ndanë vizion të njëjtë me këtë shtëpi të demokracisë”, shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook.

Ai shkroi se “Republika e Kosovës dhe populli ynë, po shndërrohen në pengje kolektive të zymtësisë e paaftësisë”.

“Kjo zymtësi ka mbyllur Kosovën. Kjo paaftësi ka zbrazur Kosovën. Këmbanat tona po bien! Veprimi ynë duhet të pasojë tani. Në një fat të tillë politik, aktivizimi ynë individual e i përbashkët është domosdoshmëri. Lidhja është gati. Me program, me ide, me njerëz profesionist – tani dhe me organizim!”, shkroi Abdixhiku./Express