Kurti: Java e parë e vitit të ri ka qenë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se java e parë e vitit të ri ka qenë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se për herë të parë, qytetarët mund të udhëtojnë në zonën shengen pa viza, targave ilegale të Serbisë u erdhi fundi 24 vjet pas çlirimit, e targat RKS u njohën nga Serbia 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.

Kryeministri ka përmendur edhe regjistrimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit, pas më shumë se dy dekadave, si dhe njohjen e pasaportës të Kosovës nga Spanja.

Postimi i tij i plotë:

“Java e parë e vitit të ri ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë. Për herë të parë, mund të udhëtojmë në zonën shengen pa viza. Targave ilegale të Serbisë u erdhi fundi 24 vjet pas çlirimit, e targat RKS u njohën nga Serbia 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Filloi regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit, pas më shumë se dy dekadave. Ndërkaq në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë, Spanja iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës. Fillimet që po i shënojmë e festojmë tani, janë rezultate të një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve tona që vazhdon edhe më tej. Falënderoj të gjithë kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit dhe qeverisë për kontributin e tyre, dhe partnerët tanë ndërkombëtar për rolin që kanë luajtur. Por më së shumti qytetarët e vendit tonë që na besuan dje dhe që na mbështesin sot e çdo ditë. Vazhdojmë”, ka shkruar Kurti.