Kurti: Kemi dyfishuar buxhetin për mbrojtje, e kemi trefishuar për armatim

Kryeministri Albin Kurti ka folur në Turqi për investimet e bëra nga qeveria, ku ka thënë se alokimet më të larta buxhetore janë: mbrojtja e siguria, bujqësia, arsimi edhe shëndetësia.

Ai ka thënë se buxheti për mbrojtje është dyfishuar, për armatim është trefishuar, kurse janë katërfishuar trajnimet jashtë vendit për ushtarët  e oficerët.

“Sa i përket mbrojtjes, për tri vjet i kemi shtuar 1852 ushtarë, edhe 600 ushtarë të rinj sivjet, kemi dyfishuar buxhetin për mbrojtje, e kemi trefishuar buxhetin për armatim dhe i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit për ushtarët dhe oficerët e ushtrisë sonë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë në Republikën e Turqisë duke mësuar, duke studiuar, duke u trajnuar e ushtruar, në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për mbrojtjen dhe sigurinë e atdheut të tyre, Republikës së Kosovës”.

“Moshën e kemi rritur për ushtarët prej 23 vjeç në 25 vjeç dhe e kemi pajisur ushtrinë tonë me armatim gjithnjë e më modern. Kemi blerë drona Bayraktar nga Turqia dhe raketa Javelin anti-tank nga Amerika”.

Ai ka thënë se në shkolla do të futet lënda Edukimi për Siguri.

“Në shkolla po e fusim lëndën Edukimi për Siguri, por gjithashtu po e bëjmë edhe mbrojtjen gjithëpërfshirëse apo mbrojtjen totale ashtu që nëse na rrezikohet atdheu, vatani, atëherë secili qytetar do ta ketë rolin, funksionin e vet në mbrojtje e në siguri. Pra, mbrojtja gjithëpërfshirëse në njërën anë dhe edukimi për siguri nëpër shkolla në anën tjetër janë shumë të rëndësishme për vendin tonë dhe Qeveria jonë tashmë ka filluar me përpilimin e zbatimin e këtyre”, ka deklaruar Kurti.