Kurti kërkesë fuqive të perëndimit: Mos bëni presion për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu ka bërë thirrje shteteve të fuqishme perëndimore, që të mos bëjnë presion lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në një intervistë për AP, Kurti ka deklaruar se fokusi duhet të jetë që Serbia të bëhet demorkatike dhe të hiqen qafe idetë që kryeministri i quajti hegjemoniste të Beogradit.

Kryeministri i Kosovës në këtë intervistë tha se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të përballet me të kaluarën.

Kurti tha se deri më tani negociatat janë “ideologji për zgjidhjen e problemit… çdo zgjidhje është bërë më e ndërlikuar, madje edhe më e pazbatueshme, dhe publiku humbi interesin”. Ai tha se propozimi evropian “është një kornizë dhe platformë e mirë për të ecur përpara…. gjë që na bën ne që të shpresojmë lidhur me prospektet për bisedimet e ardhshme dhe për një marrëveshje”.

Një propozim franko-gjerman është në diskutim e sipër muajve të fundit. Kjo ka bërë që shumë diplomatë evropianë të zbarkojnë në Kosovë. Kjo po shton edhe presionin për zbatimin e Asociacionit të komunave, marrëveshjen e së cilës në një pjesë Gjykata Kushtetuese e shpalli si jokushtetuese.

Kurti thotë se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij dhe javën e kaluar ai vendosi kushte duke thënë se ajo mund të formohet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën Serbia e ka refuzuar në të kaluarën.

“Nëse ne futim në Ballkanin Perëndimor idenë e asociacionit të komunave me bazë etnike, kjo është një recetë për konflikte të reja”, tha Kurti.

“Fuqitë perëndimore nuk duhet të bëjnë presion mbi vendet më të vogla si Kosova, të cilat janë demokratike. Problemet mes Kosovës dhe Serbisë mund të jenë të vogla dhe të bezdisshme, por ata duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj që ka ndodhur në rajon sepse “çdo lloj zgjidhje e gabuar në Ballkan mund dhe do të përdoret diku tjetër”, theksoi më tutje kryeministri i Kosovës.

Kjo deklaratë e Kurtit vjen pikërisht në ditën kur në Kosovë do të qëndrojë sërish emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kushtet e Kurtit për Asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vetëm pak ditë më parë në Kuvendin e Kosovës bëri publike gjashtë kushtet e tij për Asociacionin.

Këto janë gjashtë kushtet e Qeverisë Kurti:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

Pas prezantimit të këtyre kushteve, ka pasur shumë reagime nga partitë në opozitë e analistë./Nacionale