Kurti me tri kushte, Vuçiqi insistoi në Asociacion, Borrelli kërkoi ‘zbatim paralel’: Zhvillimet e sotme në Bruksel

Takimet bilaterale të mërkurën në Bruksel përfunduan pa takim trepalësh, siç u paralajmërua. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi tri kushte. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq insistoi sërish te pika e ‘nxehtë’, Asociacioni. E shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell kërkoi zbatim paralel, Kosova të nis procesin drejt Asociacionit, derisa Serbia të nis njohjen e dokumenteve, simboleve shtetërore dhe institucioneve të Kosovës, raporton Sinjali.

Borrell e konfirmoi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalësh, Serbia ishte e gatshme ta bënte. Duhen dy vetë për ta luajtur tangon. Për fat të keq asnjë progres nuk mund të arrihej sot. Kryeministri Kurti ka dorëzuar tre kushte për angazhimin e tyre në procesin e normalizimit.

Citoj, e para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media, raportoi REL.

Gjatë konferencës për media, Borrell tha se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti, përderisa, presidenti Vuçiq la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes [në rrugën drejt normalizimit të raporteve], në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes.