Kurti merr pjesë në vënien e gurthemelit të një fabrike për dyer e dritare: Do ta ketë mbështetjen e institucioneve tona

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në vënien e gurthemelit të një fabrike për dyer e dritare në Verbicë të Kmetocit, të Komunës së Gjilanit.

Kurti u shpreh i kënaqur për investimin nga një mërgimtar i cili u kthye pas 22 viteve në vendlindje, shkruan lajmi.net.

“Kënaqësi e madhe që jam këtu bashkë me investitorin Arsim Hashanin i cili po kthehet në vendlindjen e tij pas 22 vjetëve që të investojë në një fabrikë e cila do të bëjë prodhime të dyerve, dritareve, të roletave, shihni dhe emrin e ka “Edi Fenster”, do të punësojë fillimisht 50 punëtorë e më pastaj do të mund të shkojë deri në 150 punëtorë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se investimet e tilla do të kenë gjithmonë mbështetjen insitucionale.

“Ekonomia e vendit sa ma shumë zhvillohet aq më i lartë është punësimi, eksporti, kontributi në buxhet dhe zvogëlimi i mbështetjes sociale që ka nevojë t’ia bëjë shteti qytetarëve të vetë. Pra sa më shumë punësim, prandaj investimet e këtilla na e rrisin shpresën dhe na e shtojnë zellin për punë të mbara e të mira edhe në të ardhmen andaj ju përgëzoj z. Arsim, përgëzime kryetar Alban, Arjeta, Atdhe dhe të gjithë juve”, është shprehur Albin Kurti.