Kurti në panairin e Hannoverit, flet për mundësitë që ofron Kosova për investime të huaja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në panairin e Hannoverit ka folur për mundësitë që ofron Kosova për investime të huaja.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti ka listuar dhe shtjelluar katër faktorë kryesorë që e bëjnë Kosovën destinacion të veçantë për investime të huaja nga Gjermania.

Në njoftim tutje bëhet e ditur se Kurti i ka ftuar kompanitë që të eksplorojnë mundësitë që ofron Kosova dhe ta vizitojnë atë që të njëjtat t’i shohin nga afër.

“Të parin e renditi besimin e fortë dhe lidhjet historike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, të përforcuara nga diaspora jonë. Të dytin, ndryshimet gjeopolitike dhe ekonomike që e bëjnë Kosovën vend të përshtatshëm për nearshoring dhe përkushtimin tonë për demokraci dhe liri ekonomike”.

“Dinamizmi ekonomik, gatishmëria për investime, rritja e Bruto Produktit Vendor dhe projektet e mëdha infrastrukturore, përfshirë ato në fushën e energjisë, i theksoi si faktor të tretë. Kurse sektorin e teknologjisë dhe atë të prodhimit, bashkë me përparësinë konkurrues dhe frymën innovative, si faktor të katërt”, thuhet tutje në komunikatë.