Kurti nesër “e merr ose e lë” propozimin që Asociacioni të krijohet sipas modelit belg të kombinuar pak me atë suedez për “vetëmenaxhimin” e serbëve

“Merre ose leje” pritet ta kenë nesër në tavolinën e Brukselit “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuciq, gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin evropian me ftesën e shefit të diplomacisë së BE’së, Joseph Borrell.

Ndonëse dyshja e krerëve të të dy vendeve nuk parashihet të kenë takim ballë për ballë me njeri tjetrin, përgjigjet për propozimet që emisari Miroslav Lajcak dhe 4 të tjerët i sollën në fundjavë në Prishtinë dhe Beograd, Kurti e Vuciqi do t’i kumtojnë tek shefat e emisarëve, Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe Josep Borrell.

Reporteri.net merr vesh, se dy ditë pas afatit që Kryeministri Kurti, sikurse Vuciqi, kanë pasur për t’i dorëzuar komentet për “propozimin modern” të BE’së, shefi i ekzekutivit kosovar nesër në Bruksel do t’i duhet “ta marrë ose do ta lejë” njërin nga 15 modelet e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që qysh nga fundjava i janë lënë në zyrën e tij.

Po ashtu, një burim i gazetës online Reporteri.net, i afërt me procesin, i ka pohuar gazetës se për Qeverinë e Kosovës, nga 15 modelet “moderne” të BE’së për Asociacionit, më i pranueshmi për palën kosovare për t’u hartuar si statut i ASK’së është ai sipas modelit “vetmenaxhues” të pakicave gjermane në Belgjikën lindore, në disa raste i kombinuar edhe me modelin e Suedisë për të drejtat e finlandezeve.

Përveç, çështjes “më të nxehtë” për Asosacionin, Kryeministri Kurti nesër në Bruksel do t’i duhet të jap një zgjidhje edhe për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë të popullsisë serbe, sikurse do t’i kërkohet t’i kthehet implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Për të njëjtat çështje, pajtim me shefat e vendeve ndërmjetësuese, sikurse edhe me shefin e BE’së, duhet të arrihet edhe me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuciq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ftesë të Joseph Borrellit, në Bruksel, të enjten do të qëndrojnë për samitin e BE’së, i cili mbledhë në kryeqytetin evropian drejtuesit e shteteve anëtare të unionit.

Takimet e ndara me liderët e Kosovës dhe Serbisë, shefat e shteteve të Perëndimit, parashihet t’i zhvillojnë para orës 15:00, kur edhe parashihet të nisë samiti.

Çfarë është modeli i Belgjikës Lindore?

Gjuha gjermane në Belgjikën lindore përdoret në shërbimin civil, në shkolla dhe në gjykata. Komuniteti gjermano-folës shtrihet në pjesën lindore të Belgjikës, duke mbuluar një sipërfaqe prej 854 kilometra katrorë përgjatë kufijve të vendit me Gjermaninë, Holandën dhe Luksemburgun.

Ky komunitet në Belgjikë përfshin nëntë komuna, ka asamblenë, qeverinë dhe flamurin e saj.

Falë sistemit politik shumë të decentralizuar të Belgjikës, “Ostbelgien” ka gjithashtu aftësinë për të vënë veton ndaj traktateve ndërkombëtare, duke përfshirë marrëveshjet tregtare të BE-së.

Rreth 77,000 njerëz jetojnë në nëntë komunat e DG-së, në kryqëzimin e dy kulturave, gjermane dhe latine.

Ky model kompetencat politike në masë të madhe i zhvendosë në sektorë të tjerë, siç janë sistemi arsimor, sistemi i drejtësisë, siguria, etj. Megjithatë, modeli belg ka edhe kompetenca politike, ku të gjitha së bashku i bëjnë të domosdoshme edhe ndryshimet kushtetuese, pasi që si rajon ka fuqi legjislative dhe e ruan një autonomi të gjerë me një parlament, një qeveri dhe një shërbim civil.

Drejtoria e Përgjithshme atje është përgjegjëse kryesisht për çështjet kulturore, arsimin, formimin profesional, punësimin, familjen dhe mirëqenien sociale, si dhe mbikëqyrë autoritetet lokale.

Po ashtu, Kushtetuta e Belgjikës perfshinë krijimin e zonave gjuhësore, te cilat kanë kompetenca në shumë fusha.

Neni 4 i Kushtetutës së Belgjikës thotë: “Belgjika përbëhet nga katër zona gjuhësore: zona e gjuhës gjermane, zona e gjuhës frënge, zona e gjuhës holandeze dhe zona dygjuhëshe Bruksel – Kryeqytet”.