Kurti para kabinetit: Kur Serbia goditi familjen Jashari, e bëri ushtri një popull të tërë

Kryeministri Albin Kurti e ka nisur sot mbledhjen e Qeverisë duke kujtuar të rënët gjatë luftës së fundit.

Ai para kabinetit të tij qeveritar tha se muaji mars shënon rezistencën dhe sakrificën për liri dhe çlirim, njofton Klankosova.tv.

“Jemi në muajin mars, në muajin që shënon rezistencën, e luftës tonë çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 5, 6dhe 7 marsin që shënojnë ditët e Epopesë së Lavdishme të UÇK-së, familjes Jashari me udhëheqjen e kryekomandantit Adem Jashari”.

“Atëherë kur Serbia e goditi familjen Jashari mendoi se po e shuan luftën çlirimtare, por në fakt ajo e bëri ushtri një popull të tërë. Rezistenca, sakrifica dhe rënia e familjes Jashari shënon kthesën kyçe në historinë tonë më të re të përpjekjeve tona për çlirim”.

“Gjatë muajit mars Kosova kujton edhe qindra masakra të kryera mbi popullsinë civile të ndërmarra në mënyrë të organizuar nga regjimi i Millosheviqit që udhëhiqte me shtetin e Serbisë aso kohe. Muaji mars shënon fillimin e bombardimeve të trupave të NATO-s mbi caqet ushtarake policore të Serbisë, dhe kësisoj çlirimin përfundimtar të vendit tonë”.

“Muaji mars është shembull i një ecje të gjatë historike, të një populli që vuajti shumë, rezistoi, qëndroi, sakrifikoi dhe triumfoi për liri e demokraci, për çlirim e pavarësi. Nis me rezistencën dhe heroizmin dhe vazhdon me vuajtjen dhe sakrificën e popullit tonë, dhe përfundon me ndihmën e aleatëve e miqve ndërkombëtarë. Një muaj i hatashëm dhe një muaj i lavdishëm”, tha ai.