Kurti për 25 vjetorin e bombardimeve: Për NATO-n në Kosovë dhe për Kosovën në NATO

Sot bëhen 25 vite që kur Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior – NATO filloi ta bombardonte Jugosllavinë, si kundërpërgjigje reaguese ndaj luftës agresive që Serbia po e zhvillonte në Kosovë që prej fillimit të vitit 1998.

Në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999, avionë bombardues të NATO-s u ngritën në fluturim dhe nisën një fushatë sulmesh nga ajri mbi Jugosllavi, e cila vazhdoi deri më 10 qershor për mbi dy muaj e gjysmë rresht.

19 vende të NATO-s atëbotë të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u përfshinë në këtë fushatë bombarduese mbi Jugosllavi, e cila zgjati 78 ditë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti duke kujtuar këtë natë thotë se meqë NATO-n s’e zmbrapste dot e as UÇK-në s’arrinte ta eliminonte, Serbia i përshpejtoi dhe egërsoi veprimet në terren për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët, duke e intensifikuar realizimin e fazave të planifikuara të Operacionit “Patkoi”.

“Për 78 ditë sa zgjatën bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë (e Tretë, atë të Millosheviqit, sipas kushtetutës famëkeqe të Zhablakut), shqiptarët në Kosovë ishin të ekspozuar ndaj vrasjeve dhe masakrave, përdhunimeve dhe torturave, dëbimeve dhe deportimeve, pengmarrjeve dhe burgosjeve, plaçkitjeve dhe shkatërrimeve, të kryera nga policia, ushtria dhe njësitë paraushtarake të urdhëruara dhe të koordinuara nga Beogradi zyrtar. Këtë vit është 25-vjetori i këtyre ngjarjeve, të cilat do t’i kujtojmë një për një, sepse shoqëria dhe shteti i Kosovës nuk harrojnë dhe nuk falin, as para drejtësisë ndërkombëtare dhe as para historisë botërore”, ka shkruar Kurti.

I pari i Qeverisë thotë se 25 vite më parë, lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tokë dhe bombardimet e NATO-s nga ajri e çliruan Kosovën nga Serbia pushtuese.

Më 12 qershor 1999, trupat e para ushtarake të NATO-s u futën edhe si këmbësori në Kosovë, ndërsa trupat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë nisën të tërhiqen nga Kosova.

“Nga atëherë, NATO-ja është në Kosovë përmes misionit të KFOR-it, kurse prej kohësh, Kosova synon të anëtarësohet në NATO, që vitet e fundit, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, është kthyer në kontribuese e paqes krah vendeve aleate nëpër botë”, kujton Kurti.

Kurti thotë se fushata bombarduese e NATO-s mbi Jugosllavi, e pamundësoi realizimin e projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve (i cili megjithatë rezultoi me qindra masakra mizore mbi popullsinë civile).

“Historia e Republikës së Kosovës si një shtet liridashës e demokratik i ngritur mbi parimet e të drejtave të njeriut e të pakicave dhe vlerave perëndimore është argumenti më i fuqishëm që bombardimet e NATO-s ishin një vendim i drejtë dhe që si të tilla do t’i njeh historia. Populli dhe shteti i Kosovës janë dhe do të jenë përherë falënderues dhe mirënjohës për ndihmën e vendeve aleate të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Veçanërisht do të kujtohen katër figurat kyçe që i prinë këtij procesi aq kompleks në politikën ndërkombëtare atë kohë: Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton; Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright; Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair; dhe, Komandanti Suprem i NATO-s, Ëesley Clark”, shkruan kryeministri.

Kurti thotë se Kosova do t’i ruaj raportet me shtetet mike.

“Pa aleatë dhe miq nuk do të çliroheshim asokohe. Me aleatë dhe miq ecim përpara vazhdimisht. Gjatë këtyre 25 viteve, populli dhe shteti i Kosovës i kanë thelluar, zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet e mira dhe lidhjet e forta me popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me popujt evropianë dhe Bashkimin Evropian. Kjo do të vijojë kështu edhe më tutje, sepse ne ndajmë të njëjtat vlera e interesa dhe sepse kemi vizione e synime të përbashkëta politike dhe gjeostrategjike”.

Ai potencon se Kosova është kapitull shumë i rëndësishme në historinë e NATO-s.

“Bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavi nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, e kanë bërë Kosovën një kapitull më vete dhe tejet të rëndësishëm në historinë e NATO-s. Andaj natyrshëm dhe pashmangshëm, Kosova duhet të bëhet edhe pjesëmarrëse aktive në historinë e NATO-s, duke u anëtarësuar në këtë aleancë. Kjo është aspiratë e Republikës së Kosovës që duhet realizuar: sa më shpejt, aq më mirë! Për NATO-n në Kosovë dhe për Kosovën në NATO!”, ka shkruar tutje Kurti.