Kurti për dinarin: Euro është valutë e BE-së, askujt s’po i themi të marrë Dardanë të Kosovës apo Lekë të Shqipërisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për çështjen e dinarit.

Ai ka thënë se Euro është valutë që vjen nga Bashkimi Evropian dhe se nuk po i thotë askujt që të marrë Dardanë të Kosovës ose Lekë të Shqipërisë.

Kurti ka shtuar se Euro, mjet i vetëm i pagesës dhe shitblerjes, nuk është çështje e negociueshme.

“Pra në katër komunat në veri janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Euroja është valutë që na vjen nga BE-ja, ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lelë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS nuk është një çështje e negociueshme”, ka thënë Kurti.

BQK ka miratuar një rregullore të re, e cila pritet të hyjë në fuqi prej nesër. Sipas kësaj rregulloreje Euro është valuta e vetme për kryerje të transaksioneve, kështu duke përjashtuar dinarin.

QUINT ka kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij vendimi dhe që kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi.