Kurti përkujton 3 dhe 4 shkurtin- S’e thotë asnjë fjalë për Ivanoviqin, të dënuarin nga gjykata për masakrën në veri të Mitrovicës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën e 3 dhe 4 shkurtit të 2000-ës, ku në pjesën veriore të Mitrovicës u vranë dhjetë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë, me qëllim të spastrimit etnik.

Në përkujtimin e tij s’përmendet kurrkund Oliver Ivanoviqi, i dënuari me nëntë vite burgim nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, e cila e gjeti përgjegjës për këtë masakër dhe atë të 14 prillit të 1999’ës. Kurti në përkujtimin e fundit për Olivanoviqin, për këtë të fundit zgjedhte fjalët më të mira për ta përshkruar.

Kurti në përkujtimin e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit thotë se ajo u realizua në prezencën e trupave të KFOR’it. Ai gjithashtu ka akuza edhe për legjislaturat e mëhershme.

“Masakrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të kryera në funksion të spastrimit etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas, u krye vetëm tetë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ndryshimi drastik i realitetit në terren, krijoi kushte shtesë për thellimin e ndarjes fizike të qytetit të Mitrovicës në dy pjesë. Ajo u realizua nën vëzhgimin e trupave ushtarake të KFOR-it, kurse u pasua nga mosveprimet e liderëve politikë shqiptarë të asokohe në Kosovë. Madje, këta të fundit, në vitin 2013 patën votuar në Kuvendin e Kosovës ligj për aministimin e kriminelëve në veri të Kosovës”, thuhet në postimin e tij.