Kurti: Rasti i Jusufit, Bardhoshit e Kadriut paraqet një dosje më vete

Në 42 vjetorin e vrasjes, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar tre dëshmorët e kombit që u vranë në një atentat në Gjermani, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke e konsideruar, këtë si “dosje më vete” që tregon për vrasjen politike ndaj shqiptarëve në ekzil.

“Mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete. Përmes saj mund të lexohet vet historia e ekzilit politik të shqiptarëve, përndjekja e tyre nga strukturat e sigurisë të Serbisë dhe historia e bashkëpunëtorëve të tyre”:, ka shkruar sot Kurti në facebook.

Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982.

Sipas Kurtit, ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë, që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat.