Kurti takohet me Sarrazinin, kërkohet dënim ndërkombëtar për Serbinë

Kryeministri Kurti është takuar me Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.

Sipas komunikatës të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka informuar Sarrazinin për dëshmitë që ka mbledhur Kosova, e që e implikojnë direkt Serbinë në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës.

Për këtë Kurti ka kërkuar sanksione nga ndërkombëtarët për Serbinë, duke sqaruar edhe detaje të planifikimeve të tjera nga Serbia, ku përmendet edhe agresioni ushtarak.

E plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri i Parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.

Temë qendrore e bisedës ishte situata e sigurisë në Republikën e Kosovës. Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit të organizuar e mbështetur nga Beogradi zyrtar nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë Afrim Bunjaku, veprimet destabilizuese të Serbisë vijuan dhe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti theksoi që dëshmitë e mbledhura përgjatë hetimeve të realizuara pas sulmit kriminal dhe terrorist, faktojnë e dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, për të cilin Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht.

Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën ishte hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe mbështetur një agresion të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës, përmes ushtrimit të kompetencave të saj kushtetuese e ligjore, mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët në komunat në veri të vendit dhe bashkëpunimin me partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë.

Kryeministri Kurti e falënderoi emisarin Sarrazin për këtë vizitë të radhës dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm e intensiv.