Kurti takon Hetemin, flasin për raportin e parë gjashtëmujor të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemin.

Kurti tha se me Hetemin folën për raportin e parë gjashtëmujor të këtij procesi, të cilin i pari i qeverisë e tha se është i rëndësishëm për Kosovën, për të kaluarën e të ardhmen, por edhe për paqen e qëndrueshme.

“Të gjitha dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, të ruajtura nga organizata vendore e ndërkombëtare, nga hulumtues e dokumentues, bashkë me dëshmi të pambledhura deri më tash, vazhdojnë të mblidhen nga institucionet e Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se për narracione të vërteta dhe të sakta për masakrat, torturat, dhunimet, pengjet e luftës, zhdukjet me dhunë, plaçkitjet, shkatërrimet dhe të gjitha krimet e kryera gjatë luftës për kujtesën kolektive dhe për trashëgiminë, është funksionalizuar Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.