Kurti viziton familjen e Nurije Kabashi-Vojvoda në Skenderaj, forcat serbe ia vranë disa anëtarë të familjes

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar dëshmorët dhe martirët e rënë për liri në Polac.

Ai ka vizituar familjen e Nurije Kabashi Vojvoda në Skenderaj, ku forcat serbe ia kanë vrarë disa anëtarë të familjes.

“Pas aterimit në aeroportin “Adem Jashari”, u nisa për në Polac, për të shprehur nderimin më të thellë ndaj martirëve dhe dëshmorëve të rënë për liri. Pas homazheve në Kompleksin Memorial të martirëve në Polac, vizituam familjen e zonjës Nurije Kabashi Vojvoda, në Lagjen 3 të Skenderaj”, thotë Kurti.

Tutje, ai ka shkruar se më 7 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë, zonjës Nurije ia kanë vrarë të atin, Emin Kabashi 59 vjeç, dhe dy vëllëzërit, Islamin, 21 vjeç dhe Nehatin, 17 vjeç.

Ai ritheksoi se përkujtimi i viktimave dhe dëshmorëve krahas së qenuri obligim moral, është edhe obligim institucional, që të mos lejojmë kurrë që e vërteta të zbehet në harresë.