E shtuna ishte ditë tragjike për familjen Musliu nga fshati Baks i komunës së Skenderajt. Besim Musliu 47-vjeçar, mbeti i vrarë si pasojë e plumbave që dyshohet se u shkrepën nga fqinji i tij, Shukri Rexhepi. Si pasojë e gjuajtjes me armë plagë mori edhe vetë i dyshuari bashkë me një person tjetër.
Përveç Shukriut, Policia ka arrestuar edhe një familjar të tij. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Rexhep Rexhepin.
Burimet e kanë konfirmuar se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje për 48 orë, nën dyshimet për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Emërohet bordi i kompanisë rajonale të ujësjellësit, “Gjakova”
Personat e plagosur, në mesin e të cilëve edhe i dyshuari u dërguan fillimisht me vetura civile me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore. Vdekjen e Besimit e konstatoi ekipi mjekësor në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, teksa dy të tjerët u transferuan në QKUK.
Sipas mjekes kujdestare, Dafina Basholli, Shukri Rexhepi dhe i plagosuri tjetër janë dërguar në këtë qendër në gjendje stabile, ku njëri ka pasur plagë në këmbë, e tjetri në pjesën abdominale.
Ndërkohë në vendin ku ndodhi krimi, kanë dalë njësitet policore bashkë me Prokurorin e Shtetit dhe janë kryer bastisje në shtëpitë e personave të dyshuar, ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri – një kallashnikov që dyshohet se u përdor në rast dhe një pushkë gjuetie.
Po ashtu po bëhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme që çojnë në zbardhjen e rastit, duke përfshirë këtu sigurimin e provave dhe dëshmive të dëshmitarëve të rastit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.