Takimi i javës së kaluar ndërmjet negociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit në Bruksel ishte i fundit sa i përket diskutimve për këtë çështje ka thënë Miroslav Lajçak, i dërguari i BE-së për çështjen e dialogut.
Në një postim në Facebook ku ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve të tij, ai ka thënë se është i gatshëm t’i pres palët përsëri, nëse ka gatishmëri për të arritur marrëveshje.
“Gjatë javës së kaluar kam pritur edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për atë që e shoh si raundin final të diskutimeve për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Fatkeqësisht, nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe është e paqartë se si kjo do të ndikojë në jetën e përditshme të komuniteteve të prekura në Kosovë. Unë mbetem i gatshëm të pres një takim tjetër për këtë temë, me kusht që palët të tregojnë gatishmëri të vërtetë për të arritur një marrëveshje”, ka shkruar Lajçak në Facebook.