Lajçak për moszbatimin e marrëveshjeve: “I kemi çuar kuajt te uji, por po refuzojnë të pinë”

Emisari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serb, Miroslav Lajcak, i cili ka njoftuar se i është zgjatur mandati edhe disa muaj në këtë rol, e ka përdorur një metaforë për të krahasuar moszbatimin e marrëveshjeve nga Kosova dhe Serbia.

“Më duhet të them se është për të ardhur keq që palët nuk treguan fleksibilitetin dhe vullnetin e nevojshëm politik për të përmbushur atë që kishin premtuar në Ohër”, ka thënë ai.

“Për të përdorur një metaforë të vjetër, “ne i kemi çuar kuajt në ujë, por ata ende refuzojnë të pinë”, ka shtuar Lajçak.

Tutje, ai ka thënë se “nuk mendon se për këtë mund të fajësohet dialogu apo BE-ja, sepse përgjegjësia për respektimin e obligimeve dhe rrjedhimisht për zgjedhjen e rrugës së ardhshme për qytetarët e tyre, është e liderëve të Kosovës dhe Serbisë”.