Lajmërohet biznesmeni nga Rahoveci, kërkon fshirjen e lajmit për aferën me ish-miss Kosovën, Zana Berishën

Në media është raportuar intensivisht për arrestimin dhe ndalimin e ish-miss Kosovës, Zana Berisha, e cila dyshohet se ka shantazhuar ish të dashurin e saj, biznesmenin Isni Jemini, i cili u detyrua të paguajë rreth 200 mijë euro, për mos publikimin e fotografive e video-incizimeve intime të tyre.

Redaksia e Sinjalit që nga fillimi i raportimit, ka provuar që të kontaktojë me z.Jemini për të marrë një prononcim të tij lidhur me rastin, mirëpo i njëjti vazhdimisht ka qenë i paqasshëm.

Pas publikimit të lajmeve, përfaqësuesi i z.Jemini, ka dërguar në Gazetën Sinjali një kërkesë për fshirjen e lajmit, ku mes të tjerash pretendohet se lajmi ka karakter fyes për shkak se i është referuar z.Jemini si enëlarës, si dhe është cenuar privatësia e tij.

“… kanë shkelur të drejtën për privatësi, me ç ‘rast kanë shkelur dinjitetin e të mbrojturit tim duke e vënë në një pozitë të papërshtatshme atë dhe familjen e tij për faktin se kanë publikuar informacione lidhur me të dhëna personale të ndjeshme referuar kësaj kanë bërë mosrespektimin e jetës private dhe familjare duke drejtuar edhe tituj fyes dhe denigrues në drejtim të të mbrojturit tim konkretisht e kanë etiketuar me terma nënçmues si “Enëlarësi nga Rahoveci…”, andaj konsiderojmë se artikujt e publikuar nga Gazeta Sinjali janë të mbështetura me fjalë fyese dhe denigruese duke ja cenuar rëndë dinjiteti dhe personalitetit e parashtruesit të kërkesës z. Isni Jemini”, thuhet në kërkesë.

Pas pranimit të kësaj kërkese, Gazeta Sinjali konstaton se nuk ka nevojë t’i kërkohet falje z.Jemini, për shkak se lajmi i shkruar mbështetet në burime të sakta, nuk ka përmbajtje fyese as shpifëse dhe me rastin e publikimit të lajmit janë zbatuar në tërësi rregullat e kodit të etikës për gazetarë.

Redaksia e Sinjalit mbetet e hapur për ta marrë rrëfimin e plotë të z.Jemini, kurdo që ai ka dëshirë dhe interes për të dhënë versionin e tij, ashtu sikurse mbetet e hapur për të marrë edhe rrëfimin e ish-miss Kosovës, Zana Berisha, për shkaqet e arrestimit, historikun tashmë publik dhe lidhjen e saj me z.Isni Jemini deh çfarëdo detaji tjetër që është i rëndësishëm për të apostrofuarit në lajm.

Si në çdo rast tjetër, edhe me lajmin që kërkohet të fshihet, Gazeta Sinjali njofton të gjitha palët se lajmet e publikuara në respektim të kodit të etikës dhe me përmbajtje të vërtetë, nuk mund të fshihen pavarësisht kërkesave të palëve.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.