LDK i përgjigjet pjesërisht thirrjes së Krasniqit për zgjedhje, AAK hesht

Zgjedhje e reja dhe të parakohshme, tash e një kohë janë bërë tema kryesore në vend, e vëmendja më e madhe u shtua pas darkës që zhvilluan kryeministri Albin Kurti dhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ku u dakorduan që të shpërbehet Kuvendi dhe vendi të shkoj në zgjedhje.

Nga ana tjetër dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, fillimisht refuzuan këtë darkë, këto dy parti dolën edhe kundër shpërbërjes së Kuvendin, duke deklaruar se “Kurti duhet të dorëhiqet dhe më pas vendi të shkojë në zgjedhje.”

Pas gjithë kësaj rrëmuje politike të krijuar në vend, së fundmi kreu i PDK-së, Memli Krasniqi iu drejtua me një letër LDK-së dhe AAK-së.

Krasniqi sot ka njoftuar se u ka dërguar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në këtë letër, Krasniqi ka ritheksuar qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.

Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret.” – thuhet mes të tjerave në letrën e shkruar nga Krasniqi.

Më tej Krasniqi ka thënë se Kosova dhe qytetarët kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euro-atlantik.

Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar. Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afatave ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë.” – ka përfunduar Krasniqi.

Rreth kësaj letre të PDK-së, reaguan nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku në një përgjigje për median Nacionale, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, tha se ideator i vërtetë i kësaj nisme është Albin Kurti. Andaj sipas tij, përgjigjen ia kanë kthyer Kurtit.

Përgjigjen dhe qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kemi kthyer tashmë ideatorit të vërtetë të kësaj nisme, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje z. Albin Kurtit”, tha Mustafa.

Sipas LDK-së është e rëndësishme mënyra se si shkohet në zgjedhje.

Andaj, sipas Mustafës, kryeministri së pari duhet të jap dorëheqje pastaj procedurat e tjera diskutohen në vazhdim.

Ndërsa, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk erdhi asnjë reagim pas letrës së PDK-së.

Ndonëse e kanë pranuar këtë letër, nga kjo parti nuk erdhi as edhe një reagim.