Ligji i Pagave publikohet në gazetën zyrtare, mësohet kur hyn në fuqi

Ligji për Pagave është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, kurse pritet që i njëjti të zbatohet nga muaji shkurt i këtij viti.

Të enjten, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin është shprehur se vlera financiare e koeficientit pritet të caktohet brenda muajit janar.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu.

Ai ka bërë të ditur se janë ndarë 745 milionë euro nga buxheti i 2023-së për pagat e sektorit publik.

“Me Ligjin për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit që lamë pas, kemi caktuar se totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro”, theksoi ai.

Koeficientet

Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.

Koeficienti më i lartë, 18, sipas Projektligjit për pagat, i takon vetëm presidentit të Kosovës.

Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit.

Për mjekët specialistë, koeficienti është 12.

Mësimdhënësit në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, do të kenë koeficientin 5.6.

Kundërshtimet e Gjyqësorit

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj shprehet se në rast se me Ligjin për Paga, parashihet ulja e pagave për gjyqtarët do t’i shikojë të gjitha mundësitë që këtë Ligj ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Kreu i KGJK-së thotë se vazhdimisht ka pasur përpjekje për t’i ulur pagat e gjyqtarëve.

“Ka pas një përpjekje të vazhdueshme për të ulur pagat e gjyqtarëve, ne kur po flasim ende nuk e dimë se sa do të jetë paga e gjyqtarëve. KGJK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese nëse në Ligjin për pagat do të ketë zbritje për pagat e gjyqtarëve. Ne shpresojmë që do të ketë qartësim deri në masë të administratës gjyqësore, shpresoj që do të ketë rritje, sepse ende është enigmë çështja e vlerës së koeficienteve, por që vlerësimet preliminare nënkuptojnë se do të ketë ulje drastike të pagave, diçka që është krejtësisht e papranueshme për KGJK”, thekson Zogaj.

Ndryshe, Ligji i Pagave ishte miratuar një herë në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij – në janar të 2020-s – institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për, siç kishte thënë, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata, më pas, konstatoi se ligji i miratuar nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ligji i Pagave hyn në fuqi një (1) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

KËTU mund ta lexoni Ligjin e Pagave të publikuar në Gazetën Zyrtare./Telegrafi/