Limaj: Nuk është demokratike që katër persona të vendosin për fatin e 120 deputetëve të zgjedhur nga votat e popullit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se takimi “në kafe” i kryeministrit Albin Kurti me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ku sipas tij, është folur për shkuarjen në zgjedhje është fyerje për institucionet e Kosovës.

Limaj është shprehur se nuk është demokratike që katër persona të vendosin për fatin e 120 deputetëve të zgjedhur nga votat e popullit.

Limaj ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mblidhen bashkë për ta shkarkuar Qeverinë dhe për t’i dhënë mundësi vendit për të shkuar në zgjedhje.

“Kjo çka kemi parë ditëve të fundit është ajo që nuk ndodh në demokraci, është supermimi i organeve legjitime të vendit. Ju nuk mundeni dy vete, tre vetë me u mbledh me një kafe, gjoja me një agjendë tjetër dhe nga një agjendë siç ishte legjislative, me u marr vesh katër vetë me ja shkurtuar mandatin 120 deputetëve që i ka votuar populli i Kosovës. Kjo do të thotë që ata e kanë fyer institucionet e Kosovës, Parlamentin, institucionin më të lartë të Kosovës. Kjo do te thotë që ata nuk e respektojnë institucionin më të lartë, nuk kanë pikë respekti për votuesin që ka votuar, 120 deputete të gjithë janë votuar me votën nga qytetaret e Kosovës, ata përfaqësojnë Kosovën dhe këta katër vetë nuk e përfaqësojnë Kosovën. Ka rrugë sikur se tha demokratike që shkohet drejt shpërndarjes së parlamentit, janë mbledhur katër vetë dhe kanë thënë po shkojmë, e po e shkarkojmë parlamentin. Parlamenti nuk është përgjegjës, parlamenti kërkon llogari nga qeveria, ky është sistemi ynë parametra. Që parlamenti e zgjedh qeverinë dhe e kontrollon, e mbikëqyrë dhe e mbanë përgjegjës qeverinë dhe kërkon llogari qeverisë. Çka po ndodh sot, po ndodh këta na thanë neve kështu me amnistuar krejt këto debakël edhe krejt këto gabime, krejt këto drama që i ka shkaktuar vendit me i lanë pa adresë, e me shku e me e shkarkuar parlamentin e Kosovës”.