Lista Serbe me propagandën e radhës, paralajmëron “kryengritje” nëse nuk lirohet serbi i arrestuar

Policia e Kosovë ka arrestuar një person serb të dyshuar për sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe djegien e tetë veturave me targa të Kosovës. Pas kësaj ngjarje, ka reaguar Lista Serbe ku ndër të tjera ka paralajmëruar “kryengritje të përgjithshme”, nëse serbi i arrestuar nuk lirohet.

Sipas njoftimit të policisë, personi i dyshuar, i cili është një kosovar me nacionalitet serb, dyshohej për përfshirje në sulmin me armë zjarri ndaj njësive të Policisë së Kosovës. Ai është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar me targa të Kosovës.

Në një njoftim për media, Policia e Kosovës bëri të ditur se kallëzimi penal kundër të dyshuarit përfshin veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

“Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore. Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit. Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftimine Policisë së Kosovës.

Në njoftimin e tyre, Lista Serbe ka paralajmëruar kryengritje të përgjithshme, sipas tyre për të “ndaluar represionin e kryeministrit Albin Kurti ndaj qytetarëve të pafajshëm.”

Nga kjo parti kanë kërkuar lirimin e serbit të arrestuar, duke e cilësuar si “kidnapim nga forcat speciale të Kurtit”

“Pas mbledhjes së të dhënave për kidnapimin e sotëm të një serbri nga forcat speciale të Kurtit, dëshirojmë të theksojmë se populli serb paralajmëron Prishtinën që në rast se nuk i lirojnë të arrestuarit, të cilin njësitet e Kurtit e rrëmbyen pa të drejtë sot në veri të Kosovës dhe të mos ndalojnë së ngacmuari serbët, popullit se do të provokojnë reagimin e të gjithë serbëve. Për të qenë i qartë, nuk do të jetë një paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për të ndaluar represionin e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm.” – thuhet në reagimin e tyre.