Lladrovci: Është më e dhimbshme kur kryeministri harron se çfarë deklaroi më 2020 për Lajçakun

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, ka kujtuar fjalët e ish-presidentit Thaçi kur i bëri thirrje BE-së që të mos e emërojë Miroslav Lajçakun si emisar të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ish presidenti Thaçi, ishte vizionar edhe në vitin 2020 kur theksoi se “duke mos e emëruar Lajçakun në pozitën e emisarit për negociatat Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian do të përmirësonte edhe kredibilitetin edhe një herë sepse Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën si shtet dhe ka votuar kundër Kosovës në UNESCO”, ka thënë ai.

Në këtë kontekst, Lladrovci e ka quajtur “të dhimbshëm” faktin që kryeministri Kurti “harron se çfarë deklaroi më 2020 për Lajçakun”

“Është më e dhimbshme kur sot, Kryeministri harron se çfarë deklaroi më 2020 për Lajçakun: “Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është atje në kufi me Meksikë. Thaçi më keq po flet për: Borrelin, Lajçakun e Brukselin sesa për Daçiqin, Vuçiqin e Beogradin. Borreli e Lajçaku nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë”, shkroi Lladrovci.