Lëvizja Vetëvendosje është përfshirë në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti njoftoi dje se ai vetë dhe dy gra nga LVV do të garojnë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 8 majit në RMV, raporton Gazeta Express.
Partia që ka pushtetin në Kosovë, do të garojë në Maqedoninë e Veriut me koalicionin e partive opozitare “VLEN”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i ketë tre kandidatë për deputetë, me koalicionin VLEN. Ne do të jemi pjesë e fitores që VLEN! Në Njësinë Zgjedhore 1, kandidate me numrin 6 në listë do të jetë znj. Nafie Selmani. Në Njësinë Zgjedhore 2, kandidate me numrin 6 në listë do të jetë znj. Medine Ukshini. Ndërsa në Njësinë Zgjedhore 6, kandidat me numrin 2 në listë do të jem unë, Bekim Qoku”, shkroi ky i fundit në një postim në Facebook.
“Në Maqedoninë e Veriut Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shumë aktivistë dhe simpatizantë. Bashkë do të punojmë sot për Ndryshimin që VLEN e nesër për forcimin e popullit tonë shqiptar!”, shtoi ai.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mohuar se po përzihet në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, por duket se ajo i intereson shumë. Para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në shtetin fqinj, ai para disa javësh i solli në Prishtinë liderët e disa partive politike shqiptare, me të cilët u pajtuan se presidenti i radhës në Shkup duhet të jetë shqiptar.
Paraprakisht, ai thoshte nga Shkupi se LVV nuk garon dhe se shqiptarët duhet të vendosin vet nëse do të kenë një kandidat për president
“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk është se marrim pjesë këtu”, deklaronte Kurti në një konferencë për media.
Në fund të vitit të kaluar, kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti kishte shkruar se Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit i ishte bashkuar koalicionit të opozitës shqiptare, me ç’rast njoftonte për hapjen e një shtabi të përbashkët në Shkup. Ky njoftim kishte ardhur disa muaj pasi këtë mbështetje kryeministri i Kosovës ua kishte ofruar edhe fizikisht gjatë një vizite shumë të diskutueshme në Maqedoninë e Veriut, në gusht të vitit 2023.
Bekim Qoku, këshilltari i Kurtit nga Ohri i Maqedonisë së Veriut, merr pjesë vazhdimisht në aktivitetet e koalicionit opozitar të partive shqiptare në RMV.
Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka thënë se Kurti duhet ta thotë hapur nëse po synon të garojë në këtë mënyrë edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Që prej ardhjes në pushtet, Kurtin duket se e intrigoi pjesëmarrja në skenën politike shqiptare edhe në shtetet përreth, në disa mënyra. Në Shqipëri i bëri zyrtarisht opozitë kryeministrit Edi Rama duke garuar me partinë e tij në zgjedhjet parlamentare në vitin 2021 dhe në Luginë gjithashtu intervenoi duke e mbështetur një krah politik.