Maliqi për letrën e Gërvalles: Do të trajtohet nga aleatët si tallje me ta – Qeveria po mendon se mundet me i “folliratë”

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka thënë se letra që Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ia dërgoi sot presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos, ku e njoftoi se Kosova po e shkruan një draft-statut për Asociacionin dhe se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit, do të trajtohet nga aleatët si tallje me ta.

Sipas Maliqit, Qeveria e Kosovës jeton në një univers paralel ku mendon se “shtetet e perëndimit mundet me i “folliratë” si militantat”.

“Kushdo që ka studiuar marrëdhënie ndërkombëtare besoj se ka bërë “simulime”, ku studentët luajnë role shtetesh dhe shpesh krijohen skenare jorealiste. Kosova sot po qeveriset si simulim studentësh. I patëm 2+ vjet si shtet për ta dërguar draftin tonë maksimalist të asociacionit. Tash kur efektivisht u mbyll hapësira e dialogut dhe u humb mundësia për t’u bërë diçka më serioze gjatë administratës Biden, madje edhe u mbyll dera për Këshill të Evropës sivjet, qeveria del me një manovër se “do ta dërgojmë draftin e bazuar në FES deri me 31 maj.” Kjo do të trajtohet nga aleatët si tallje me ta”, ka shkruar Maliqi.

Letra vjen tash që Kosova po përpiqet që në momentin e fundit të anëtarësohet në KiE. Komiteti i Ministrave, që duhet të vendos përfundimisht për këtë, mblidhet sot dhe nesër.