Manastiri i Deçanit regjistron pronësinë e 24 hektarëve tokë, Kisha Ortodokse tregon se e ka marrë certifikatën

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ka njoftuar se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës.

Në faqen zyrtare ata konfirmojnë se është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se tashmë e kanë marrë edhe certifikatën nga kadastri.

“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti kishte urdhëruar javën e kaluar Agjencinë Kadastrale të Kosovës që t’ia regjistrojë pronën manastirit.