Maqedonci: Deklaratat e Vuçiqit janë të pasakta, dronët po përdoren brenda territorit

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka hedhur poshtë deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se dronët “Bayraktar” po i vëzhgojnë bazat ushtarake të Serbisë.

Maqedonci në një intervistë ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po i përdor dronët “Bayraktar” për t’i testuar dhe për të siguruar siguri për të gjithë qytetarët në Kosovë.

“Absolutisht, është e pasaktë kjo deklaratë e presidentit Vuçiq. Kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të fokusuara në ndërtimin e elementeve për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit tonë. Në këtë aspekt edhe dronët ‘Bayraktar’ si pjesë e sistemit të armatimit… i inventarit të FSK-së është pjesë përbërëse e njësive operacionale të FSK-së dhe ne në kuadër të FSK-së kemi njësinë e sistemeve ajrore pa pilotë që kryen operim me dronët “Bayraktar” dhe normalisht që operimi i tyre bëhet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pa pasur synim vëzhgimin e asnjë vendi fqinj dhe pa pasur synim shkeljen e hapësirës ajrore të asnjë vendi. Normalisht bazuar në planin e operimit këta dronë fluturojnë në qiellin e Kosovës gjithmonë pra me synimin që të testohen, të operohet me ta me qëllim të vëzhgimit të terrenit në Republikën e Kosovës”, tha ai.