Maqedonci: Vuçiq po e zvarritë dialogun për ta pritur përfundimin e luftës në Ukrainë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se grupet e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjska kanë përdorur armatim të thelluar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë dhe se kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë.

Kështu tha ai në “Samitin e Ballkanit për dezinformim”, teksa theksoi se janë duke punuar në ndërtimin e një qendre trajnuese kombëtare për sigurinë kibernetike e cila do të inaugurohet më 26 mars.

Maqedonci shtoi se ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë mekanizmat e saj për t’u përballur në anën e dezinformimit.

Po ashtu, Maqedonci vlerëson se inavizioni rus në Ukrainë në një formë ka ndikuar edhe në destabilizmin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, më saktësisht në veri të Kosovës. Ai shtoi se ka evidenca për grupet e 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit kanë përdorur armatim të thelluar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë si dhe kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë si dhe dyshojnë që gjatë kësaj periudhe prej që ekziston qendra humanitare ruse në Nish mund të jenë të trajnuar dhe të përgatitur nga kjo qendër.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Maqedonci tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po neglizhon përmbylljen e procesit, pasi sipas tij, ai po pret rezultatin e luftës në Ukrainë në mënyrë që të vlerësojë situatën e cila do të ishte e favorshme për shtetin e Serbisë.

Gjithashtu, ai tha se ekziston një plan gjithëpërfshirës i tranzicionit që parasheh krijimin e kapacitetit të mbrojtjes të vendit i cili është duke u ndërtuar që nga viti 2019, i cili do kulmojë në fazën e tretë që do të fillojë nga viti 2025 deri në vitin 2028 ku Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbështetet edhe me elemente tjera të nevojshme ushtarake.

Në këtë samit, përveç tjerash, është diskutuar për dezinformimin, luftën në Ukrainë, Inteligjencën Artificiale (AI), mediat si dhe influencën e Kinës në Lindje të Mesme./kp/