Mbi 20 mijë nënshkrime pro tërheqjes së Trustit, ky pritet të jetë rrugëtimi i peticionit të qytetarëve

Nisma për nënshkrimin e peticionit për tërheqjen e kursimeve pensionale nga Trusti, ka përfunduar sot. Për 8 ditë, mbi 20 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin. Organizatorët e tij janë ndarë të kënaqur nga përkrahja e qytetarëve, duke theksuar se ajo i ka kaluar edhe pritjet e tyre. Te gjitha nënshkrimet e mbledhura do të dorëzohen në një afat rekord në Kuvend, paralajmërojnë organizatorët.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Adnan Jashari, ka treguar numrin e saktë të nënshkrimeve të mbledhura gjatë ditëve sa u organizua peticioni.

Sipas tij, puna vullnetare është shpaguar me përkrahje nga qytetarët, duke treguar se janë të kënaqur me volumin e nënshkrimeve.

“Përgjatë një jave sa e mbajtëm peticionin për Trustin, kemi arritur mbi 20 mijë nënshkrime pro tërheqjes se Trusti. Saktësisht 21.530 nënshkrime. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur sepse peticioni i ka kaluar edhe pritjet tona. Me organizim vetëm ne grupin në Facebook “pro tërheqjes 30 % te Trustit” kemi marrë mbështetje nga shume vullnetare në shumicën e qyteteve te Kosovës”, deklaroi Jashari për Nacionale.

Tutje, ai ka falënderuar të gjithë qytetarët për gatishmërinë për të nënshkruar peticionin.

Ndërsa, ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do t’i dërgojnë në Kuvend peticionin e nënshkruar 20 mijë herë.

“Dua t’i falënderoj gjithë qytetarët për gatishmërinë për nënshkrim te peticionit, dhe gjithë vullnetaret për punën e tyre te palodhshme qe kane bere këtyre 8 ditëve te Peticionit. Shumë shpejt, besojmë qe deri të premten do ta dërgojmë ne Kuvend peticionin me nënshkrime së bashku me projektligjin për Trustin”, shtoi Jashari.

Kujtojmë që votimi i deputetëve të shumicës kundër nismës për tërheqjen e kursimeve pensionale nga Trusti, kishte shtyrë iniciuesit e tij të fillojnë një peticion për të rikthyer këtë temë përsëri në Kuvend.

Ndryshe, përkrahës i këtij peticioni ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ishte fascinuar me përkrahjen e qytetarëve.

“I fascinuar me angazhimin e qytetarëve për të riproceduar në Kuvend Projektligjin për Trustin”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Kujtojmë që në mbledhjen e 23 qershorit, projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trusti.

Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës refuzoi tërheqjen e 30% të Trustit.

“Konstatoj se Ligji nuk ka kaluar”, ishte lajmërimi i Glauk Konjufcës, kryetar i Kuvendit.

Për kanë votuar të gjitha partitë opozitare, minoritetet përfshirë edhe Listën Serbe. Ndërsa kundër kësaj nisme, votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, me përjashtim të Fatmir Humollit, i cili ka abstenuar.

Ndryshe, seanca e 23 qershorit ishte përcjellë me shumë debate, e ku ishte përfshirë edhe vetë kryeministrit Albin Kurti, i cili i reagoi Haxhiut, që ishte iniciuesi i idesë së tërheqjes së 30% të kursimeve.

“Unë nuk kam qenë i njoftuar që nismëtari është doktor shkence, nismëtari ka doktoratë, ka PHD. Nevojitet doktoraturë për një fizioterapistë që ta sjellë një propozim të tillë në Kuvend”, ka thënë ai.

Për më shumë, Kurti e kishte quajtur kërkesën për tërheqjen e Trustit si qasje populiste.

“A din kush flet veç për çmime pa folë për strukturën e ekonomike, Le Peni veç Le Peni flet në fushatë kështu. Halli im nuk është që kalon ky projektligj se e di që nuk kalon, halli është që po diskutohet”, deklaronte shefi i Qeverisë.

Në fjalën e tij, deputeti i PDK-së i kërkoi Kurtit të mos u bënte presion deputetëve, duke kërkuar që të njëjtit të lihen të lirshëm për të votuar.

“Nëse vazhdon kështu me qëndru në zyre edhe mos me i dëgju kërkesat e qytetarëve, do të kesh edhe probleme të dhembjes së shpinës, e do të kesh nevojë për fizioterapi. Jam i gatshëm të trajtoj pa pare sa herë që ke nevojë”, thoshte Haxhiu.

Edhe për këtë, Kurti pati një përgjigje, duke thënë se Haxhiun mund ta marrë seriozisht vetëm “kur e sjell në Kuvend projektligjin për masazh”.