Me apo pa kushte do të anëtarësohet Kosova në Këshillin e Evropës?

Kanë mbetur më pak se dy javë kur pritet të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, pyetja që më së shumti po shtrohet është se a është Asociacioni kusht apo jo para anëtarësimit në këtë organizatë.

Analistët politikë në vend, mosvotimin eventual për anëtarësimin e Kosovës e shohin si kthim në izolim gjeopolitik dhe braktisje nga aleatët tanë.

Presidenti Macron i ka kërkuar Kosovës përparim të shpejtë dhe të pakthyeshëm drejt formimit të Asociacionit.

Gjermania thotë se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm, në mënyrë që t’i bindë qeveritë skeptike që të votojnë në favor të anëtarësimit.

“Arsyeja kryesore pse këto kushtëzime ndodhin është se ka humbur besimi në fjalët dhe në zotimet e lidershipit të Kosovës, njëjtë ashtu siç ka humb besimi edhe ndaj lidershipit të Serbisë dhe këto kushtëzime janë një mundësi e vetme që të shkohet përpara me Marrëveshjen e Ohrit, pasi as Kosova e as Serbia nuk kanë dëshmuar ndonjë vullnet se do ta bëjnë këtë në një mënyrë autonome. Për Kosovën është Drafti i Asociacioni ndërsa për Serbinë është përfshirja në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim në BE”, ka thënë analisti Artan Muhaxhiri.

Tani, probalititeti i mundësisë që të vendosen shtesa, kërkesë për Kosovën të sektorit të Politikës, a të drejta apo të padrejta ato tashmë po dihen që nuk janë të drejta, mund të ndodhin si pasoj e nevojës për të jetësuar pjesë të cilat Kosova i ka thënë, ‘PO’ sidomos që ndërlidhen me marrëveshjen, konkretisht me pajtimin e fundit në Bruksel dhe aneksin e Ohrit që specifikisht ndërlidhet me çështjen e Asociacionit, komunave me shumicë serbe. Kjo kërkesë është e francezëve dhe gjermanëve, kumbarët thelbësor të Planit Franko Gjerman mbi të cilën është bërë edhe kjo marrëveshje e ashtuquajtur bazike”, ka thënë politologu Albinot Maloku.

“Kosova duhet gjithsesi që ta gjej fuqinë që të shkoj përpara sepse nuk ka asnjë realitet tjetër përveç harmonizimit të veprimet me aleatët tanë. Nëse kjo është kërkesa kryesore, atëherë duhet të gjendet një modalitet që të plotësohet sepse çdo gjë tjetër është vetëm izolim, është shkatërrim i së ardhmes së Kosovës veçanërisht në Integrimet Evropiane”, ka shtuar Muhaxhiri.

“Tani, a mund ta përdorin Franca edhe Gjermania?, në aspektin politik mund ta përdorin dhe do të duhej që Qeveria e Kosovës që të kishte një shpjegim real për qytetarët e vendit për arsyeje se është një breng se a është kushtëzim, apo nuk është. Neve po e dijmë se është një njëra prej kërkesave thelbësore të këtyre dy fuqive edhe brenda Këshillit të Evropës për të dhënë votën e tyre në lidhje me anëtarësimin e Kosovën në Këshillin e Evropës”, ka shtuar Maloku për RTK.

Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.