Mediet spanjolle: Spanja do t’i thotë “Jo” anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Përfaqësues të PSOE, partisë socialiste në Spanjë pjesë e së cilës është edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, dhe ata të PP-së, pritet që të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, gjatë seancës që do të mbahet të martën. Kështu raporton agjencia e lajmeve “Europe Press”.

Pesë anëtarët socialistë dhe tre nga PP-ja, do ta refuzojnë anëtarësimin e Kosovës, pavarësinë e së cilës nuk e njohin, sipas burimit të këtij mediumi, për të cilin thonë se është nga partia e Sanchez.

“Do të votojmë kundër sepse vazhdojmë të kemi kriteret e njëjta.” – ka thënë ky burim, duke vazhduar se kjo nuk është koha për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pasi që mund të nxis “hapësira konfrontimi”.

Njëjtë, Spanja do të votojë kundër anëatësimit të Kosovës edhe në Komitetin e Ministrave. Burime diplomatike i kanë thënë mediumit se “Qeveria vazhdon të mbajë pozicionin e mosnjohjes”, duke implikuar që kur të vijë koha, Ministri i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares do ta refuzojë anëtarësimin e Kosovës.

Ndërkohë, debati për Kosovën pritet të mbahet të martën, kjo pas rekomandimit të raportueses Dora Bakojanis për anëtarësimin e Kosovës.

Çka tani?

Komiteti për Çështje Politike duhet të miratojë një draft të opinionit, dy komitete të tjera, ai për Çështje të Punëve Ligjore dhe ai për Çështje Barazie, do ta japin më pas pikëpamjen e tyre rreth kësaj.

Puna e tri komiteteve së bashku do të debatohet në seancën e Asamblesë, që çon në miratimin e një opinioni të Asamblesë për te Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës.

Vendimi final për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, merret më pas nga Komiteti i Ministrave.

Zotimi i Kosovës

Për t’u rekomanduar anëtarësimi në KiE, Kosovës iu desh që ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese se 24 hektarë tokë përreth i takojnë manastirit të Deçanit.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti muajin e kaluar “urdhëroi” zbatimin e vendimit nga Agjencia Kadastrale, vendim ky që është refuzuar për gati një dekadë.

Megjithatë, Kosovës sipas raportimeve i është kërkuar edhe një zotim tjetër: themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këtë vendim, krerët institucionalë janë zotuar se do ta zbatojnë, sipas një letre të dërguar në adresë të znj. Bakojanis, të cilën e kishte siguruar ekskluzivisht Gazeta Nacionale.

Në letrën tuaj të datës 21 mars 2024, ju na i ofruat ‘zotimet e propozuara të cilat Kosovës do t’i kërkohen që t’i respektojë porsa të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës’. Korrespondenca juaj tregon se kjo listë, që kërkon një përgjigje nga institucionet shtetërore të Kosovës, përbën një përbërës integral të procesit tonë të aplikimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës.” – thuhej në letrën, e cila është nënshkruar më 22 mars nga tre krerët institucionalë.

Më tej, ata e informojnë raportuesen për Kosovën në Këshillin e Evropës se do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I.

Në këtë kontekst, duke e marrë parasysh dhe mbi bazën e së drejtës kushtetuese të Kosovës, ne do të donim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju informuar se ne do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I të letrës suaj të datës 21 mars 2024 pas bërjes së Kosovës shtet anëtar i Këshillit të Evropës. Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj, përderisa presim që ta fuqizojmë bashkëpunimin përmes anëtarësisë së plotë në Këshillin e Evropës.” – është thënë në letër.

Lexoni më poshtë se çka thuhet në shtojcë:

Ta sigurojmë zbatimin efikas të kornizës ligjore për mbrojtjen e pakicave kombëtare; Të bëjmë hapa substancialë e të prekshëm me synim të zbatimit të të gjitha neneve të Marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit, që e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundshme; Ta adresojmë urgjentisht mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse e të bashkërenduar për çështjet dhe të drejtat e pakicave. Një qasje e tillë duhet të zhvillohet dhe të zbatohet në bashkëpunim me të përfshirët dhe në mënyra që i pasqyrojnë nevojat specifike të komuniteteve të ndryshme.