Mehaj: FSK si pasuese e UÇK-së po zhvillohet me trajnime ushtarake

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se qershori i vitit 1999 ishte muaji kur qytetet dhe zonat e Kosovës u çliruan një pas një.

Mehaj në Ditën e Çlirimit të Prishtinës ka thënë se kryeqyteti është kryeqendra jonë politike prej ku vazhdon të mirëmbahet ajo aleancë e lidhur që më 1999, mes NATO-s dhe UÇK-së.

“Qershori i viti 1999, ishte muaji kur qytetet dhe zonat e Kosovës u çliruan një pas një. Përpjekjet e gjata të disa brezave ndër dekada, kulmuan me luftën e UÇK-së dhe me fushatën bombarduese të NATO-s mbi Jugosllavi, që i solli lirinë Kosovës.

24 vite pas çlirimit të qytetit, Prishtina sot është kryeqytet i Republikës së Kosovës, shtetit më të ri evropian. Por, Prishtina është edhe kryeqendra jonë politike prej ku vazhdon të mirëmbahet ajo aleancë e lidhur që më 1999, mes NATO-s dhe UÇK-së, përkatësisht trashëgimtares së saj, FSK-së. E nisur si një ndihmë mes një ushtrie guerile popullore, UÇK-së dhe aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s, ndër vite ajo ka marrë trajtën e një raporti të mirëfilltë mes aleatësh ushtarakë e partnerësh strategjikë.” – ka shkruar Mehaj.

Ai tutje ka thënë se FSK si zgjatim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po zhvillohet me trajnime ushtarake.

“Forca e Sigurisë së Kosovës si zgjatim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asaj ushtrie që e bëri NATO-n të futej në luftë për lirinë e Kosovës, po zhvillohet me trajnime ushtarake, kapacitete luftarake dhe aftësi ndërveprueshmërie sipas standarteve më të larta të NATO- dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit tonë kyç dhe jetik.” – ka përfunduar Mehaj.