Mimoza Kusari e thotë “fjalën përfundimtare” para gjykatës

Të mërkurën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ish-ministrja Mimoza Kusari-Lila tha se aktakuza e ngritur ndaj saj dhe të akuzuarve tjerë nuk ka arritur qëllimin.

Këtë deklarim Kusari-Lila e dha në fjalën përfundimtare ku ajo së bashku me Besim Beqaj, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, si dhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka akuzohen për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo aktakuzë përveç se ka shpenzu fonde publike, kohën, energjinë, e natyrisht ka shkaktuar dëm moral e psiqik të secilit që është në akuzë, dhe nuk e ka arrit qëllimin”, tha ajo.

Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarës Kusari-Lila, avokat Driton Musliu, ka thënë se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim, duke shtuar se në këtë shqyrtim nuk është provuar asnjë element i veprës penale për të cilën ngarkohen të akuzuarit.

“Ka disa elemente specifike të cilat janë të përcaktuara me udhëzimin e Gjykatës Supreme, e të cilat në tërësi mungojnë, konsiderojmë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësorë është dëshmuar saktë dhe qartë se në rastin konkret nuk ka pasur fillimisht asnjëherë dëm, as motiv, as dashje, as dijeni, për këtë arsye konsiderojmë që vepra penale si e tillë nuk është kryer nga e mbrojtura ime”, shtoi Musliu.

Tutje, vet e akuzuara Kusari-Lila tha se pajtohet me fjalën përfundimtare të dorëzuar nga ana e mbrojtësit të saj.

Ajo shtoi se në këtë proces gjyqësorë, prokuroria shërbehet me një ekspertizë, e cila sipas saj mund të quhet çdo gjë tjetër përpos ekspertizë.

“Në këtë proces dy vjeçar kemi kuptuar të gjithë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës shërbehet me një ekspertizë që mund të quhet çdo gjë përpos një ekspertize, që vlerësimet financiare janë të gabuara, keqdashëse dhe ngarkimi e argumentimi mbi veprën e bërë është tërësisht i pa bazuar”, tha ajo.

Kusari-Lila ka shtuar se ky gjykim do të mund të sjell probleme në të ardhmen, pasi që sipas saj, ministrat e ardhshëm mund të kenë probleme me vendimmarrje si pasojë e frikës se do të ballafaqohen me gjykatë. Betimi për Drejtësi/