Mishin me afat të skaduar e konvertoi në suxhuk, arrestohet

Foto: Ilustrim © Drita Dibrani

Është arrestuar një person në fshatin Sigë të Pejës, pasi dyshohet se mishin me afat të skaduar e ktheu në suxhuk.

Kështu është bërë e ditur nga Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

Sipas njoftimit, gjatë bastisjes, në fabrikë iu konfiskuan produkte mishi gjysmë të përpunuar, pa origjinë, pa deklaracion dhe pa datë prodhimi e skadimi.

“Njësitet e DHKEK-së kanë arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e cekur, duke grumbulluar produktet e mishit me afat të skaduar dhe pastaj të njëjtat i ka përpunuar duke përfunduar si suxhuk. Gjatë bastisjes, njësitet policore në bashkëpunim edhe me AUV-në, në fabrikën për përpunimin e mishit kanë gjetur e konfiskuar produkte mishi gjysmë të përpunuar, pa origjinë, pa deklaracion, pa datë prodhimi e skadimi. Me vendim të inspektorëve të AUV-it, malli është asgjësuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar”.