Molliqaj: Kosova e as Serbia s’duan të përfundojë dialogu

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka deklaruar se Kosova e Serbia nuk janë të interesuara që ta zgjedhin çështjen e njohjes së ndërsjellë. Kjo pasi, krerët e dy shteteve i përdorin për konsum të brendshëm politik.

Në një intervistë për EO, Molliqaj ka folur për blerjen e raketave “Javelin”, ndërsa entuziazmin e quan të panevojshëm dhe ushqim për pushtetin autoritar.

Molliqaj ka folur edhe për partitë opozitare në Kuvend, për të cilat thotë se janë nën “sqetullën e Kurtit”.

Kreu i PSD-së ka adresuar kritika edhe në drejtim të Bashkimit Evropian, për ndarjen e fondeve për Serbinë. Thotë se vetëm Kroacia përfiton më shumë se Serbia.

“Nuk po dëshiron më as Kosova, deri tash s’ka dashtë Serbia, ajo nuk është e interesuar ta zgjedh problemin e Kosovës sepse kjo të paktën 3 gjëra ia favorizon pushtetit atje: Sa herë që ka nevojë për konflikt e bën, nën dy e shantazhon bashkësinë ndërkombëtare duke marrë vëmendje e duke marrë temën e Bosnjës atje me deklarata e këtu me veprime dhe nën tre, shikoni fondet që merren si grande ose kredi të buta që i ofron BE-ja. Veç Kroacia është  e para si anëtare e BE-së, Serbia i merr shumë fonde dhe krejt kjo është me ide që me përkëdhel Serbinë me temë karshi Kosovës”, thotë Molliqaj.