Mos-intervenimi i Komunës së Rahovecit vë në konflikt banorët e Krushës së Madhe, një bujk e pëson me prishje specash

Autoritetet komunale u kishin premtuar intervenim tash e tre muaj, megjithatë asnjë lëvizje para nuk është parë.

Kështu të paktën kanë thënë disa banorë të Krushës së Madhe, që kanë telefonuar në adresë të redaksisë sonë, shkruan 07 Press.

Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me pusetat që po shpërthejnë, si shkak i mos-ndërhyrjes në to.

“Nuk i kanë pastru pusetat. Tash ato po shpërthejnë edhe ujërat po kalojnë nëpër ara. Një bujku i janë prishur 30 ari speca”, tha njëri prej banorëve për 07 Press.

Tutje ai vazhdoi se si rast e kanë paraqitur tek organet komunale, por që nuk janë ndihmuar.

“Deri më tani nuk kanë intervenuar. Qe sa kohë u kemi thënë. Problemi është që ne s’mund t’i rregullojmë dhe tash banorët kanë hyrë në konflikt mes vete”, shtoi ky banor i shqetësuar.