Moskomunikimi Qeveri-Presidencë, Konjufca: I paqëllimshëm, mund të ketë ndodhur për shkak të largësisë

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka quajtur të paqëllimshëm mungesën e komunikimit ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës në ditët kritike kur në Strasburg do të vendosej nëse Kosova do të hynte në agjendën e Këshillit të Ministrave për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, apo jo.

Konjufca tha se kjo mund të ketë ndodhur “për shkak të largësisë”, meqenëse presidentja Vjosa Osmani ishte në SHBA, raporton Gazeta Express.

“Unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet Presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo, kam hamendësuar që ka mundur të ndodh për shkak të vizitës që ajo e kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për shkak të largësisë, me siguri jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë në ditën e votimit që e kishim nga ana e Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës mund të ndahet dhe mund të koordinohet”, tha Konjufca në një deklarim para gazetarëve.

“Pra unë nuk shoh mosvullnet nga ana e Qeverisë dhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme që të bëjë diçka te qëllimshme kundër Presidentes, apo që të mbajë diçka fshehur. Ka qenë thjesht teknikisht, ma merr mendja, një largësi e madhe atë ditë, për të cilën po flasim, gjë që ka pamundësi që ndryshimet e çdo minute, propozimet e çdo minute që i ka bërë Qeveria e Kosovës, të mund ta krijojnë atë atmosferën që Kosova të hynte në agjendë, nuk ka mundur t’i ndajë të gjitha me Presidencën. Dhe Presidenca e ka pasë reagimin e saj, ju e keni parë. Me siguri si pasojë e asaj që ata kanë menduar që çdo hollësi do të duhej të ishte ndarë”, shtoi ai.